Solar Cybersecurity, rreziku i padukshëm pas energjisë së pastër
Ndërsa energjia diellore zgjerohet shpejt në mbarë botën si një nga burimet më të rëndësishme të energjisë së qëndrueshme, ajo sjell edhe sfida të reja të sigurisë kibernetike që duhet t’i kuptojmë dhe adresojmë me seriozitet. Teknologjitë e energjisë diellore, si inverterët fotovoltaikë dhe pajisjet e kontrollit që lidhen me rrjetin elektrik, mund të jenë të cenueshme ndaj sulmeve nëse nuk janë të mbrojtura si duhet. Këto pajisje, të njohura si OT (Operational Technology), kur lidhen me internetin rrisin rrezikun e qasjes së paautorizuar ose ndërhyrjeve të dëmshme. Ky është një problem real, jo vetëm abstrakt, sepse një sulm i suksesshëm mund të ndikojë fizikisht në sistemet e energjisë, të shkaktojë ndërprerje të furnizimit me energji ose dëme materiale.

Rrjeti elektrik dhe energjia diellore janë tashmë pjesë e një mjedisi digjitalisht të lidhur, ku pajisje të shumta komunikojnë në kohë reale dhe ndajnë të dhëna me operatorët e rrjetit. Kjo përmirëson efikasitetin dhe menaxhimin e energjisë, por gjithashtu hap dyer për kërcënime kibernetike nëse masat e sigurisë nuk i mbështesin këto pajisje ndër lidhje dhe në kohë reale. Është e rëndësishme të kuptohet se kërcënimet nuk janë thjesht theorike, shumë organizata përjetojnë përpjekje të përditshme të shfrytëzimit të dobësive, madje edhe në sisteme të mëdha energjetike.
Një nga elementët kritikë të këtij mjedisi është inverteri. Ai është ndërfaqja midis paneleve diellore dhe rrjetit elektrik. Nëse softueri i tij është i pasigurt ose i vjetëruar, kjo mund të çojë në interceptim ose manipulim të të dhënave, ndonjëherë edhe në manipulime fizike të energjisë së furnizuar. Në një skenar të keq, kjo mund të çojë në ndryshime të paautorizuara të tensionit apo rrymës, gjë që ndikon drejtpërdrejt në stabilitetin e rrjetit elektrik.
Për t’u përballur me këto rreziqe, ekspertët rekomandojnë përdorimin e një qasje të quajtur defense-in-depth ose “mbrojtje në thellësi”, ku siguria ndërtohet në shumë shtresa, që nga vetë pajisja dhe më tej në rrjet, në kontroll dhe në monitorim të vazhdueshëm. Kjo përfshin masa të tilla si softuer sigurie dhe detektimi të sulmeve, firewall-e të fortë, përditësime të rregullta të softuerit dhe monitorim në kohë reale. Qasjet e këtij lloji ndihmojnë jo vetëm në parandalimin e sulmeve të suksesshme, por edhe në identifikimin e anomalive që mund të jenë shenja të përpjekjeve të sulmit.
Për më tepër, zhvilluesit e teknologjive diellore, operatorët e rrjetit dhe profesionistët e sigurisë po punojnë së bashku për të krijuar standarde dhe udhëzime të qarta sigurie për sistemet e energjisë diellore dhe të burimeve të tjera të shpërndara të energjisë. Këto përpjekje synojnë të sigurojnë që pajisjet dhe rrjetet të jenë të testuara, të certifikuara dhe të ndjekin praktikat më të mira të industrisë, duke përmirësuar kështu rezistencën e sistemit ndaj kërcënimeve moderne.
Në një kohë kur pjesa e energjisë diellore në furnizimin global me energji rritet çdo vit, siguria kibernetike nuk është më një opsion, por një parakusht për funksionimin e besueshëm dhe të qëndrueshëm të rrjetit elektrik. Si operator, investitor apo profesionist i teknologjisë së energjisë, është thelbësore të jesh i informuar për rreziqet kryesore dhe për zgjidhjet që ndihmojnë në mbrojtjen e infrastrukturës kritike. Sigurimi i sistemeve diellore do të ndihmojë për të ruajtur energjinë që fitojmë nga dielli dhe për të mbrojtur rrjetin që varet prej tyre.
Source: U.S Department of Energy
Në një analizë të dhënash reale nga më shumë se 100 instalime të sistemeve të energjisë, u zbulua se infrastruktura…
Më 3 nëntor 2025, Apple publikoi përditësimet e sigurisë iOS 26.1 dhe iPadOS 26.1 për të adresuar një sërë dobësish…